Blog

Pse e krijova Mind Nexus

Gjatë rrugëtimit tim profesional, kam punuar në shumë institucione dhe organizata të ndryshme, duke qenë aty pjesë e ekipeve dhe dinamikave të shumta.

Me kalimin e viteve, fillova të vërej diçka që më mbeti vazhdimisht në mendje.

Në të njëjtin vend pune dhe në kushte të ngjashme, disa njerëz arrinin të zhvilloheshin dhe të përparonin pothuajse pa vështirësi, ndërsa të tjerë përballeshin me pengesa edhe në përmbushjen e kërkesave bazë të ditës apo të javës. Për disa, mjedisi i punës bëhej i vështirë për shkak të marrëdhënieve të tensionuara, pritshmërive të paqarta, mbështetjes së pamjaftueshme apo kushteve sfiduese të punës. Të tjerë ishin më të hapur ndaj parehatisë dhe ndryshimeve të shpejta, por shpesh, tepër kritikë ndaj vetes së tyre, punës dhe rezultateve të tyre.

Shihja njerëz që e përdornin stresin si shtysë. Shihja të tjerë që gradualisht fillonin të zhvillonin vështirësi në ballafaqim me stresin. Dikur fillova te shihja edhe se si, kur presioni vazhdonte pa mirëkuptimin dhe mbështetjen e duhur, profesionistë të aftë dhe të përkushtuar nisnin rrugën drejt rraskapitjes, shkëputjes nga puna dhe përkeqësimit të shëndetit mendor.

Këto përvoja më mësuan se mirëqenia në vendin e punës nuk mund të reduktohet vetëm në reziliencën individuale. Njerëzit nuk punojnë të izoluar. Aftësia e tyre për të performuar dhe për t’u zhvilluar ndikohet nga udhëheqja, marrëdhëniet, kushtet e punës, sistemet që i rrethojnë dhe përfundimisht - kultura organizative.

Ato gjithashtu e përforcuan një dëshirë që e kam prej kohësh: t’i mbështes njerëzit jo vetëm për t’i kapërcyer vështirësitë, por edhe për t’u bërë më të fortë, më të sigurt dhe më të përmbushur në jetën e tyre profesionale—dhe t’i ndihmoj organizatat të krijojnë kushtet që e bëjnë një gjë të tillë të mundur.

Kjo dëshirë, së bashku me përvojën time profesionale si psikologe, më shtyu drejt krijimit të Mind Nexus.

Prandaj, Mind Nexus ofron konsulencë psikologjike të mbështetur në evidencë, e cila ndihmon individët, ekipet, udhëheqësit dhe organizatat në forcimin e reziliencës, rivendosjen e ekuilibrit dhe përballimin e kërkesave të një bote dinamike që po ndryshon me shpejtësi. Ajo ndërthur qasjen psikologjike dhe organizative me shërbime të krijuara sipas nevojave aktuale të secilit mjedis pune.

Prandaj, sot, me krenari—por edhe me pak emocione—ju prezantoj Mind Nexus!

Ju ftoj të njiheni me ne dhe të zbuloni se si mund t’i mbështesim punonjësit tuaj, udhëheqjen dhe organizatën tuaj—jo vetëm për të ecur në hap me ndryshimet, por për t’u zhvilluar, per t’u avancuar dhe për të performuar më mire.

Njerëz rezilientë. Organizata të forta.

Gati për të ndërtuar një organizatë më reziliente?

Le të flasim për çfarë u nevojitet ekipeve tuaja.

Na kontaktoni